Merr artikujt e fundit me RSS

Merr artikujt e fundit me email

Kërko në faqe
Reklamo Këtu
Reklamo ketu Reklamo ketu Reklamo ketu

Nga më 14 Dhjetor 2013 nën Infeksionet , 10,241 lexime 1 Koment Email This Post Email This Post
Postoje në Facebook

Çdo person, i çfarëdo moshe, seksi, race, gjendjeje ekonomike ose orientimi seksual mund të infektohet me HIV nëse ai apo ajo kryen marrëdhënie seksuale pa prezervativ ose shkëmben shiringat me një person të infektuar. Femrat me HIV mund t`ia transmetojnë virusin fëmijëve gjatë shtatzënisë, gjatë lindjes ose gjatë ushqyerjes me gji. Disa punonjës të shëndetësisë janë infektuar gjatë ushtrimit të profesionit te tyre, duke u shpuar me age ose mjete të tjera shpuese dhe prerëse. Virusi HIV mund të jetojë dhe të shumëzohet vetëm në organizmin e njeriut. Jashtë organizmit ky virus rron shumë pak kohë. Ai është shumë i ndjeshëm ndaj nxehtësisë; në temperaturë mbi 600 C virusi HIV shkatërrohet. Kështu vetëm një njeri i infektuar mund të bëhet burim infeksioni për personat e tjerë.

Për transmetimin e virusit HIV duhet të plotësohen dy kushte; e para, të jetë një person i infektuar dhe e dyta; lëngjet biologjike të këtij personi të infektuar të hyjnë në organizmin e një njeriu të shëndoshë. Por që të ndodhë kjo, detyrimisht duhet që virusi të jetë në sasi të mjaftueshme në lëngun biologjik dhe të gjejë portë hyrjeje për të depërtuar në organizëm.

Virusi HIV ndodhet në sasi të mjaftueshme për të transmetuar infeksionin në këto lëngje: gjak, spermë, sekrecione vagjinale, qumështin e nënës, lëngun amniotik (ujërat e nënës), çdo lëng biologjik që përmban gjak të dukshëm me sy.


Rrugët e transmetimit të HIV

Rrugët e transmetimit të HIV janë:transmetimi me rrugë seksuale, transmetimi nëpërmjet gjakut dhe transmetimi nga nëna tek fëmija. Transmetimi me rrugë seksuale mund të ndodhë gjatë: seksit vaginal, seksit anal, seksit oral.

Transmetimi nëpërmjet gjakut mund të ndodhë gjatë: transfuzionit të gjakut, nënprodukteve të tij, indeve dhe organeve; shkëmbimit të shiringave tek përdoruesit e drogës me injektim (shiringë); shkëmbimit të mjeteve prerëse dhe shpuese të ndotura me virusin HIV.

Transmetimi nga nëna tek fëmija mund të ndodhë: gjatë shtatzënisë, gjatë lindjes, gjatë ushqyerjes me gji.

Kjo që thamë më sipër njihet edhe si “skema 3×3” e rrugëve të transmetimit të HIV, ku ekzistojnë 3 rrugë madhore dhe secila prej tyre përfshin 3 të ashtuquajtura nënrrugë të transmetimit.

Rrugët e transmetimit (3 X 3)

Marrëdhënie seksuale të pambrojtura:anale, vagjinale, orale.

Nga nëna tek foshnja: gjatë shtatzënisë, gjatë lindjes, gjatë ushqyerjes me gji.

Rruga parenterale: tansfuzione gjaku dhe transplante, shkëmbimi i shiringave tek PDI, shkëmbimi i mjeteve prerëse dhe shpuese të kontaminuara.

Transmetimi nëpërmjet gjakut
Kjo është rruga që shoqërohet me rrezikun më të madh sepse gjatë kësaj rruge transmetimi virusi hyn direkt në gjakun e personit të shëndoshë dhe në sasi tepër të mëdha. Situatë me rrezik që mundësojnë këtë transmetim janë:

Marrja e gjakut dhe nënprodukteve të tij të infektuara

Rreziku i transmetimit nëpërmjet kësaj rruge sot është minimal në Shqipëri sepse që prej vitit 1993 çdo njësi gjaku e dhuruar i nënshtrohet kontrollit për HIV. Ekziston mundësia e transmetimit vetëm nëse dhuruesi e ka marrë infeksionin shumë pak kohë para se të dhurojë gjak dhe mund të ndodhet në periudhën dritare. “Periudhë dritare” quhet periudha nga momenti kur personi është infektuar nga HIV deri në momentin kur kapet prania e infeksionit në gjak. Kjo periudhë zgjat 3 javë, 3 deri 6 muaj dhe në raste të veçanta dhe më shumë. Gjatë kësaj periudhe, testi i depistimit është akoma negativ, megjithatë virusi është i pranishëm në organizëm dhe personi është infektues për të tjerët.

Shkëmbimi i gjilpërave dhe shiringave

Që prej futjes në përdorim të shiringave dhe ageve me një përdorim, kjo rrugë transmetimi haset pothuajse vetëm tek përdoruesit e drogave me injektim, të cilët shkëmbejnë shiringat si pasojë e mungesës së tyre ose në shenjë socializimi me njëri-tjetrin. Sot përdoruesit e drogave përbëjnë gjithmonë e më tepër numrin më të madh të personave të infektuar në vende të ndryshme të botës.

Shpimet aksidentale në vendin e punës

Kjo mund t`i ndodhë personelit mjekësor gjatë praktikave të ndryshme mjekësore kur nuk zbatohen rregullat e kujdesit të përgjithshëm, gjatë manipulimit me gjakun me mjetet prerëse dhe shpuese, gjatë manipulimit me gjakun dhe lëngjet e tjera organike, gjatë larjes së mjeteve prerëse dhe shpuese, gjatë eliminimit të mjeteve ose mbetjeve organike etj.

Si nuk transmetohet HIV

Ka shumë pyetje rreth mundësisë së transmetimit të virusit HIV. P.sh. “A mundet që e puthura të transmetojë virusin?”, “A transmetohet virusi nga pickimi i insekteve?”, “A transmetohet virusi nga kafshët shtëpiake?”

Përgjigjja është e thjeshtë:

VIRUSI HIV TRANSMETOHET NGA NJË PERSON I PREKUR TEK NJË PERSON I SHËNDOSHË VETËM SIPAS TRI RRUGËVE QË PËRMENDËM MË LART.

Kontaktet e jetës së përditshme nuk e transmetojnë virusin HIV.

Virusi HIV nuk transmetohet:

  • Gjatë puthjes në faqe. Deri tani nuk është provuar asnjë rast i transmetimit të virusit nëpërmjet kësaj rruge, megjithëse virusi ndodhet në pështymë. E puthura e thellë mund të jetë e rrezikshme vetëm në situata të caktuara; si p.sh. kur pështyma e ndotur bie në kontakt me mukozën e dëmtuar të gojës së partnerit tjetër. Në këtë rast është e qartë se bëhet fjalë për transmetimin nëpërmjet gjakut.

  • Nga pickimi i insekteve. Në një familje personat e infektuar ia transmetojnë virusin vetëm partnerëve seksualë. Nëse sëmundja do të transmetohej nëpërmjet mushkonjave ose insekteve të tjera, ajo do t`u transmetohej edhe pjesëtarëve të tjerë të familjes.

  • Nga kafshët shtëpiake. Kafshët nuk mund ta transmetojnë virusin sepse nuk janë bartës të tij.

  • Nga shtrëngimi i duarve.

  • Nga përqafimi, puthja.

  • Nga ngrënia ose pirja në restorant, bare, etj.

  • Nga përdorimi i përbashkët i tualetit, dushit dhe pishinave.

  • Nga qëndrimi me miqtë, qoftë edhe kur këta janë të prekur nga HIV/AIDS. Fëmijët me HIV mund të ndjekin shkollën pa përbërë rrezik infektimi për fëmijët e tjerë.

TË GJITHË MUND TË JEMI TË PREKSHËM NGA HIV/AIDS. NUK KA PERSONA TË RREZIKSHËM, POR KA SJELLJE ME RREZIK QË E RRISIN MUNDËSINË E TRANSMETIMIT TË INFEKSIONIT HIV.

 

Gastriti
Inflamacioni i stomakut
www.mjeku24.com
Akne Vulgaris
Puçrat e fytyrës
www.mjeku24.com
Ultrasonografia
Çfarë është EKO-ja
www.mjeku24.com
I respektuar vizitorë! Për shkak të pyetjeve të shumta përgjigja e pyetjes tuaj do të vonojë. Mos e shkruani një pyetje dy here dhe ju lutemi të jeni të durueshëm. Ju faleminderit!
Nëse dëshironi të na ndihmoni në punën tonë. Postoje në Facebook
Kliko këtu për të bërë Pyetjen tuaj
©Mjeku24.Com - Të gjitha të drejtat i zotëron Mjeku24.Com. Ndalohet rreptëisht kopjimi dhe ribotimi. Dizenjimi dhe mirmajtja: SuperAlb.Com